Zbutja e Kapitalizmit

/Erik Olin Wright/
Si shkatërrimi, ashtu edhe çmontimi i kapitalizmit përfytyrojnë mundësinë e mbrame të zëvendësimit të kapitalizmit me një strukturë ekonomike rrënjësisht të ndryshme, socializmin. Në këtë kuptim, të dyja këto strategji kanë aspirata revolucionare, pavarësisht se dallojnë në mënyrën se si i kuptojnë mjetet e domosdoshme për arritjen e qëllimeve.
Sidoqoftë kapitalizmin mund ta konsiderojmë burim dëmesh sistematike në shoqëri pa u përpjekur për ta zëvendësuar atë. Qëllim mund të jetë neutralizimi i këtyre dëmeve. Kjo u bë ideja strategjike mbisunduese e partive socialdemokrate në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ja argumenti i tyre bazik:
Kur nuk trazohet, kapitalizmi krijon dëme të mëdha. Sjell nivele të larta pabarazish që janë shkatërrimtare për kohezionin shoqëror; zhduk vende pune tradicionale dhe i lë njerëzit pa asnjë përkrahje; krijon pasiguri dhe rrezik në jetën e individëve dhe bashkësive; dëmton mjedisin. Të gjitha këto janë pasoja të dinamikës së brendshme të një ekonomie kapitaliste. Sidoqoftë është e mundshme të ndërtohen institucione kundërpeshuese që mund t’i neutralizojnë në mënyrë domethënëse këto dëme. Kapitalizmi nuk ka pse lihet i patrazuar; ai mund të zbutet nga politika të mirëmenduara shtetërore. Afërmendsh që diçka e tillë mund të kërkojë beteja të forta përderisa synon të reduktojë autonominë dhe pushtetin e klasës kapitaliste, si dhe nuk ka garanci për sukses. Klasa kapitaliste dhe aleatët e saj do të pretendojnë se rregullimet dhe rishpërndarja që kanë për synim neutralizimin e këtyre “të ashtuquajturave” dëme të kapitalizmit, do të shkatërrojnë dinamikën e tij, gjymtojnë konkurrueshmërinë dhe zhbëjnë nxitjet ekonomike. Sidoqoftë këto argumente janë thjesht racionalizime vetëshërbyese në mbrojtje të privilegjit dhe pushtetit. Kapitalizmi mund t’u nënshtrohet rregullimit dhe rishpërndarjes domethënëse që synojnë kundërpeshimin e dëmeve të tij dhe prapëseprapë të sigurojë fitime të përshtatshme për funksionimin e vet. Arritja e këtij rezultati kërkon mobilizim popullor dhe vullnet politik; nuk mund të mbështetemi asnjëherë në dashamirësinë e ndriçuar të elitave. Po në rrethanat e duhura, ekziston mundësia e fitores në këto beteja dhe imponimit të kufizimeve të duhura për një formë më beninje kapitalizmi. Për pasojë do të kishim një kapitalizëm me rregulla loje të modifikuara seriozisht.
Ideja e zbutjes së kapitalizmit nuk e eliminon prirjen e domosdoshme të kapitalizmit për të sjellë dëme; thjesht u kundërvihet pasojave – ngjashëm me një ilaç që kuron efektivisht simptomat në vend të shkaqeve rrënjësore të një problemi shëndetësor. Ndonjëherë diçka e tillë është e mjaftueshme. Prindërit e fëmijëve të porsalindur vuajnë shpesh nga pagjumësia dhe dhimbjet e kokës. Një zgjidhje do të ishte aspirina; një tjetër heqja qafe e fëmijës. Nganjëherë neutralizimi i simptomës është më i përshtatshëm se heqja qafe e shkakut rrënjësor.
Sigurisht, jo çdo reformim i rregullave të kapitalizmit, edhe i atyre që kanë për synim të neutralizojnë disa prej dëmeve të tij, mund të përfytyrohet si antikapitalist. Rregullimi bankar që synon parandalimin e rreziqeve spekulative që prishin sistemin dhe rregullimi i tregut të aksioneve për të shmangur tregtinë ilegale mund të përfytyrohen thjesht si ndihmëse në stabilizimin e kapitalizmit, çka e mbron kapitalizmin nga prirjet e veta vetëshkatërruese. Rregullimi i peshkimit me synim parandalimin e shterjes së peshqve thjesht zgjidh një problem të veprimit kolektiv që lind prej peshkimit kapitalist në shkallë të gjerë. Reformat antikapitaliste shquhen për faktin se në një mënyrë apo një tjetër fusin vlera dhe parime barazimtare, demokratike e solidare në logjikën kapitaliste të veprimit. Këto reforma mund edhe të ndihmojnë në stabilizimin e kapitalizmit – në të vërtetë ky faktor ndikon pjesërisht në realizimin e tyre – por specifika e tyre është se e bëjnë sistemin kapitalist të veprojë në mënyrë më pak kapitaliste.
Në të ashtuquajturën “periudhë e artë e kapitalizmit” – pak a shumë tri dekadat pas Luftës së Dytë Botërore – politikat socialdemokrate kryen punë të paqme – sidomos në vendet ku u zbatuan më tërësisht – në drejtim të një sistemi ekonomik më human. Më saktësisht, tri grupe politikash shtetërore përftuan rregulla të reja që kundërpeshuan disa prej dëmeve të kapitalizmit dhe mishëruan në shkallë të ndryshme vlera barazimtare, demokratike e solidare:
- Disa prej rreziqeve më serioze në jetën e njerëzve – sidomos ato që kanë të bëjnë me shëndetin, punësimin dhe të ardhurat – u reduktuan nëpërmjet një sistemi pak a shumë gjithëpërfshirës të sigurimeve shoqërore të financuara dhe mbështetura nga shteti.
- Shtetet morën përgjegjësinë e sigurimit të një grupi në rritje të mirash publike që financoheshin përmes një sistemi të fortë taksash relativisht të larta. Këto të mira publike përfshinin arsimin bazik dhe të lartë, formimin profesional, transportin publik, veprimtaritë kulturore, qendrat e argëtimit, kërkimin dhe zhvillimin shkencor. Nga disa prej tyre përfituan më shumë kapitalistët, por shumë syresh shkuan në të mirë të publikut të gjerë.
- Shtetet krijuan edhe regjime rregullatore që kishin për synim përballimin e eksternaliteteve më negative të sjelljes së investitorëve dhe firmave në tregjet kapitaliste: ndotja, rreziqet në produkte dhe vendin e punës, sjellja grabitqare në treg, luhatja e aseteve të tregut e kështu me radhë. Edhe në këtë rast disa prej këtyre rregullimeve u shërbenin vetëm interesave të kapitalistëve, por disa syresh mbrojtën edhe mirëqenien e punëtorëve dhe të popullsisë së gjerë.
Domethënia e këtyre politikave nuk është se ekonomia reshti së qeni kapitaliste: kapitalistët vazhdonin të kishin lirinë për ta orientuar kapitalin mbi bazën e mundësive fitimprurëse në treg dhe, hiq taksat, ata përvetësonin fitimet e ardhura prej këtyre investimeve për t’i përdorur sipas qejfit. Ndryshimi kishte të bënte me faktin që shteti mori përgjegjësinë e korrektimit të pjesshëm të tri dështimeve kryesore të tregjeve kapitaliste: ekspozimi individual ndaj rreziqeve, nënsigurimi i të mirave publike dhe eksternalitetet negative të veprimtarisë ekonomike private fitimprurëse. Për pasojë erdhi një formë pak a shumë mirëfunksionuese kapitalizmi, ku pabarazitë dhe konfliktet zbuteshin. Kapitalistëve mund të mos u ketë ardhur për mbarë, por ky sistem funksiononte boll mirë. Kapitalizmi u zbut në dimensione të rëndësishme. Vazhdonte të ekzistonte, por në formë më pak grabitqare.
Kjo ishte periudha e artë. Bota e dekadave të para të shekullit të njëzetenjë duket shumë e ndryshme. Gjithkund, edhe në fortesat socialdemokrate të Evropës veriore, janë bërë thirrje për prapësimin e “tagrave” që lidhen me sigurimin shoqëror, reduktimin e taksave dhe sigurimin e të mirave publike, çrregullimin e shumë aspekteve të prodhimit e tregjeve kapitaliste, si dhe privatizimin e shumë shërbimeve shtetërore. Në tërësi këto transformime lidhen me ermin e “neoliberalizmit”.
Në vullnetin dhe kapacitetin e dukshëm të shtetit për të neutralizuar dëmet e kapitalizmit kanë ndikuar një sërë forcash. Globalizimi i kapitalizmit ua ka lehtësuar shumë punën firmave kapitaliste për t’i zhvendosur investimet në ato vende të botës që kanë më pak rregullime dhe fuqi punëtore më të lirë. Kërcënimi i zhvendosjes së kapitalit, krahas një sërë ndryshimesh teknologjike e demografike, e ka fragmentuar dhe dobësuar lëvizjen punëtore, duke e bërë më pak të aftë për të rezistuar dhe mobilizuar politikisht. I kombinuar me globalizmin, financiarizimi i kapitalit ka sjellë rritje masive të pabarazisë në pasuri e të ardhura, të cilat nga ana e tyre kanë forcuar pushtetin politik të kundërshtarëve të shtetit socialdemokrat. Në vend se të zbutej, kapitalizmi ka dalë nga binarët.
Ndoshta tre dekada e ca të periudhës së artë kanë qenë thjesht anomali historike, një periudhë e shkurtër në të cilën kushtet strukturore të favorshme dhe pushteti popullor i qenësishëm çelën mundësinë e modelit socialdemokratik relativisht barazimtar. Më parë kapitalizmi ishte një sistem grabitqar dhe në neoliberalizëm është ribërë i tillë, duke rikthyer situatën normale për sistemet kapitaliste. Ndoshta në afatgjatë kapitalizmi është i pazbutshëm. Mbrojtësit e idesë së thyerjeve revolucionare të kapitalizmit kanë mëtuar gjithnjë se zbutja e kapitalizmit ishte iluzion, një lloj shpërqendrimi nga detyra e ndërtimit të një lëvizjeje politike që do ta përmbyste atë.
Po ndoshta punët nuk janë kaq keq. Pretendimi se globalizmi u vë kufij të fortë shteteve për të rritur taksat, rregulluar kapitalizmin dhe rishpërndarë të ardhurat është efektiv politikisht pjesërisht sepse njerëzit besojnë në të, jo për shkak se kufizimet janë vërtet kaq të forta. Në fund të fundit, një pjesë e rëndësishme e kapacitetit të shtetit për të taksuar buron nga gatishmëria e njerëzve për të pranuar taksimin e të ardhurave të tyre – jo nga vullneti i kapitalistëve për ta zhvendosur kapitalin që të shmangin taksimin – dhe vullneti i njerëzve për të pranuar taksimin varet në masë të madhe nga niveli i solidaritetit të tyre kolektiv. Në politikë kufijtë e mundësisë krijohen gjithnjë nga besimi në këta kufij. Neoliberalizmi është ideologji, e cila mbështetet nga forca politike të pushtetshme dhe jo ndonjë farë shpjegimi i saktë shkencor i kufijve të vërtetë me të cilët përballemi kur orvatemi ta përmirësojmë botën. Ndonëse mund të jetë e vërtetë që politika të caktuara që përbënin menynë e socialdemokracisë në epokën e artë mund të jenë bërë më pak efektive dhe kanë nevojë të rimendohen, zbutja e kapitalizmit përmes rregullave që neutralizojnë ca prej dëmeve më të këqija të tij mbetet një shprehje praktike e antikapitalizmit. Pengesat politike ndaj rivitalizimit të socialdemokracisë përparimtare mund të jenë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se natyra e kapitalizmit nuk mundëson më ndreqjen e këtyre dëmeve përmes veprimit shtetëror.