Bota i përket guximtarëve dhe të çmendurëve

Bota i përket guximtarëve dhe të çmendurëve
/Sport Ekspres/
Bota i përket guximtarëve dhe të çmendurëve...apo jo Nevil? Nuk më intereson se çfarë do të ndodhi me Egnatian tani e tutje, pashë mjaftueshëm. E thashë që në ditën e parë, nuk jemi mësuar që një ekip i Shqipërisë të luajë si Egnatia.
Vjen Lillestrom për fazën e Play Off të Europa League, e përsëris, Europa League(jo Conference League) dhe Egnatia jo vetëm që nuk e respekton dhe bie në panik, por luan hapur, pa ndrojtje dhe pa pikë...respekti.
Më la pa fjalë një aksion në pjesën e parë, që u humb nga Albanese, mes rasteve të pafundme që Albanese humbi. Sapo ishte kaluar mesfusha dhe ishin vetëm dy lojtarë të Egnatias që po sulmonin zonën, nuk kaluan as 5 sekonda dhe kur shkuam në zonën e Lillestrom, ishin 6 lojtarë të Egnatias, më shumë se mbrojtësit e Lillestrom. 
Dhe ky është Nevil Dede, guxim deri në çmenduri. Një ditë mund ta paguajë rëndë faturën për këtë guxim dhe shumëkush do të drejtojë gishtin drejt tij sepse jemi ushqyer ndryshe, stomaku ynë nuk e përtyp dot me këtë gatim tani, duhet kohë, sado i shijshëm të jetë. 
Por nëse Egnatia është këtu ku është sot, është pikërisht për shkakun e këtij guximi, çfarë do të ndodh më pas, ka pak rëndësi ose aspak...Me llogari në mbrojtje, do eleminohej si më parë, me sukses pas çdo raundi të parë.
Ilir Daja? Sa herë e kemi thënë, ky njeri do kamerën në fytyrë dhe vëmendjen e madhe për t'u transformuar, kaq pak kërkon.
Nëse kampionati do të ishte me të njëjtën jehonë si ndeshjet e Europës, Ilir Daja ta mbyll kampionatin me 30 pikë përpara, 10 javë përpara.
Që pa nisur ndeshja, kur kamera e fokusoi dhe pashë Ilir Dajën sesi po shikonte orën(pra mezi po priste fillimin e takimit), u qetësova totalisht: "Lëre, nuk ke çfarë të shohësh".
Dhe kështu ndodhi, ato diferenca të frikshme në letër mes Pafos që çuditi Champions League dhe Dinamo City të Shqipërisë i mbante gjallë vetëm një lojtar, David Luiz. Lojtarët tanë binin në tokë përpara tij, ishin rritur me imazhin e tij. Eksperiencën e ka ende, por gjunjët jo, e tregoi edhe te penalltia.
Dhe në momentin e parë që David Luiz doli nga fusha, Dinamo bëri një përmbajtje me pullë të kuqe kundër Pafos, e shkërmoqi, e poshtëroi, e shkeli në çdo mënyrë të mundshme. Nëse Ilir Daja shikon orën dhe pret me padurim fillimin e ndeshjes, të jeni të qetë, gjërat do të shkojnë si duhet...